Sa po e njeh Uran Ismaili Prishtinën pas bujtjeve?

Shprehet i lumtur që parku të cilin e rregulloi me vullnetarë në Bregun e Diellit, tash po duket më mirë e po ka frekuentim.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, këtë punë e bëri pasi bujti në këtë lagje e dëgjoi hallet drejtpërdrejt nga banorët. Njësoj qëndroi nga një natë edhe në pjesë tjera të kryeqytetit, andaj, nëse e merr postin që e synon, thotë se i njeh më mirë problemet e komunës.

“E kam përjetuar, e kam një përvojë timen të pandashme me ato lagje, sepse kam bujtë atje, kam kaluar një ditë të plotë. Dhe ata njerëz që më kanë pritë jashtëzakonisht mirë, nuk m’i kanë tregu vetëm problemet, por ne i kemi përjetuar bashkë ato probleme”, thotë ai.

Ky liston disa prej halleve që i ka parë e dëgjuar më së shumti.

“Nuk ka stacione të autobusëve, nuk ka kontejnerë të mbeturinave, nuk ka çerdhe”, shprehet Ismaili.

Kësisoj, kandidati i PDK-së premton se do ta ofrojë një mentalitet ndryshe të qeverisjes, pasi konsideron se komuna deri tash ka qenë e mbyllur për prishtinasit.

“Problemet nuk mund t’i zgjidhë vetëm komuna. Problemet munden me i zgjidhë komuna dhe qytetarët “, është kjo motoja kryesore e tij.

Megjithatë, nuk pranon të merret me rivalët e tij në garën zgjedhore, por as me kryetarin aktual Shpend Ahmeti. Mirëpo flet për punët që mendon se janë bërë gabim, si çështja e objekteve banesore.

“Kur është thënë që tani po ndërtohet me leje, ne e kemi kuptuar që qenka rregulluar, por në realitet situata fare nuk është rregulluar, sepse janë dhënë lejet por nuk janë respektuar sipas kushteve që janë dashur”, thotë ai.

Ismaili premton intervenim edhe në transportin urban, duke thënë se do t’i zgjasë lejet për kompanitë private në mënyrë që të kenë mundësi të blejnë autobusë të rinj që i plotësojnë kushtet.