Mimoza Kusari – Lila, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për Gjakovën?

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari – Lila do të jetë kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 17 tetorit në komunën e Gjakovës.

Burime të Gazeta Metro bëjnë të ditur se kandidatura e Kusarit do të konfirmohet ditëve në vijim dhe se deri tek ky vendim ka ardhur pas insistimit të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kusari – Lila kundërkandidat kryesor në garën për të marrë udhëheqjen e Gjakovës do ta ketë Ardian Gjinin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i cili është edhe aktualisht kryetar i kësaj komune.

Në sondazhet për komunën e Gjakovës, dy kandidatët janë favoritë për të udhëhequr me komunën në 4 vitet e ardhshme dhe kështu pritet të ndeshen në balotazh me njëri-tjetrin.

Kusari – Lila ka qenë kryetare e Komunës së Gjakovës në mandatin 2014-2017, duke e pasuar kështu ish-kryetarin e kësaj komune nga AAK, Pal Lekajn, ndërsa pozitën e kryetarit të Gjakovës pas saj e ka marrë Ardian Gjini.

Vlen të theksohet se Lëvizja Vetëvendosje si subjekt politik deri më tani nuk e ka zyrtarizuar asnjë kandidaturë për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.