Ministri i Drejtësisë në përkrahje të Veselit: Kush ka aktakuzë të lëshojë rrugë

Abelard Tahiri i ka dhënë përkrahje Kadri Veselit për t’i larguar nga pozitat publike njerëzit që kanë aktakuza për krim e korrupsion. Ka thënë se Kosova s’mund të mbetet peng i tyre.

Ministri i Drejtësisë duket se i ka rregulluar punët me Shefin e PDK’së, Kadri Veselin, pasi dikur kishin pasur një përplasje pasi Abelard Tahiri kishte shkuar në Veri të Kosovës me Presidentin e Shtetit pa marrë leje nga partia.

Atëkohë, Tahiri kishte ofruar edhe dorëheqje, por, më vonë ishte bindur të mos largohej nga Qeveria.

Tash, Ministri i Drejtësisë i ka dhënë përkrahje Kadri Veselit për largimin e njerëzve nga pozitat publike që kanë aktakuza. Ka thënë se të gjithë zyrtarët e lartë të cilët janë të përfshirë në afera korruptive, qofshin ata gjyqtarë e prokurorë, duhet të lëshojën rrugë, pasi që sipas tij, Kosova nuk duhet të mbetet peng, as i politikanëve e as gjyqtarëve e prokurorëve.

“…prokurorët dhe njerëzit që nuk arrijnë me e përmbushë mandatin e tyre, qofshin ata gjyqtarë apo prokurorë, duhet të lëshojnë rrugë, pasi që Kosova nuk mundet me mbet peng i askujt, as i ministrave as i politikanëve, i gjyqtarëve e prokurorëve, prandaj mendoj që është shumë e rëndësishme që jemi në një rrugë të mirë, kemi pas suksese, mirëpo presim një angazhim më të madh”, ka thënë Tahiri.