Ministri i Kurtit përuron sheshin “Serbia” të ndërtuar me para nga qeveria e Vuçiqit

Mediat serbe kanë raportuar mbi përurimin e sheshit “Srbija” në Kufcë të Epërme, vend ky në veri të Gjilanit.

Në përurimin e këtij sheshi, prezent ishte edhe udhëheqësi i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, pjesë e kabinetit të shefit të ekzekutivit, Albin Kurti.

Ky aktivitet, sipas mediave serbe filloi me interpretimin e himnit kombëtar dhe ngritjen e trengjyrëshit në Kufcë të Epërme afër Gjilanit, sot është hapur sheshi qendror me shatërvanin, i quajtur simbolikisht “Serbia”.

Ceremonia u përmbyll me shfaqjen e shoqatave folklorike dhe një program të pasur kulturo-artistik që u mbyll me një rreth të madh rreth shatërvanit

Meqenëse autoritetet e Prishtinës nuk e lejuan sot hyrjen në Kosovë drejtorit të Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq dhe kryetari i Komunës së Novobërdës, Sasha Millosheviq, prenë shiritin, i cili hapi zyrtarisht sheshin, transmeton Insajderi.

“Ne qëndruam këtu dhe nga ky vend po dërgojmë një mesazh të qartë se jemi të gatshëm të mbijetojmë dhe të luftojmë për të shpëtuar vendin tonë, në mënyrë paqësore, duke krijuar dhe investuar për fëmijët tanë”, tha Millosheviq.

Ministri për Komunitete dhe Kthim Goran Rakiq tha se ndërtimi i sheshit nuk do të përfundojë investimin në këtë vend.

“Në bisedën me kryetarin kam dëgjuar se cilat janë nevojat tuaja. Nuk do të ndalemi me kaq, e shoh që duhet një qendër kulturore dhe një sallë sportive, të cilat do t’i arrijmë. Edhe një herë dua t’ju falënderoj të gjithëve në emër të Petar Petkoviqit, mora informacion se nesër do të marrë lejen për të vizituar Kufcën”, tha Rakiq.

Sheshi “Srbija” ndodhet në qendër të Kufcë e Epërme në mes të Shtëpisë Shëndetësore dhe Komunës, është e zbukuruar me një shatërvan madhështor dhe një piedestal mermeri me një kopje të stemës serbe në të cilën është vendosur një direk me trengjyrësh. Zyra për Kosovë financoi ndërtimin e saj si dhe rinovimin e këndit të lojërave të shkollës në këtë vend.