Ministri Murati e prezanton Ligjin për Buxhetin 2023, kërkon të miratohet me procedurë të përshpejtuar

Ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka prezantuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2023, i cili përmban edhe koeficientin e ri prej 105 eurove.

Murati kërkoi që ky projektligj të miratohet dhe të fuqizohet me procedurë të përshpejtuar, për siç tha ai, të mund të procedohen pagat e muajit shkurt brenda afatit kohor.

“Për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndarjet buxhetore i cili përmban vlerën e koeficientit dhe përmbyll ciklin buxhetor të cilin e kemi miratuar në Ligjin e Pagave ku duhet të përcaktohet vlera e koeficientit prej 105 euro që është brenda kufijve buxhetor që parashihen me ligjin 745 milionë euro në shumë totale.

Po ashtu ky projektligj parasheh fleksibilitetin që gjatë viti të parë të ketë mundësinë e përshtatjes së kufijve apo përshtatjes së organizatave që të akomodohen të gjitha kërkesat dhe nevojat për shpenzime, që parashihen me ligjin e pagave të sektorit publik.

Marrë parasysh rëndësinë dhe procesin në të cilin jemi në përgatitjen e listave të pagave, ju ftoj ta miratoni dhe të trajtohet me procedurë të përshpejtuar në mënyrë që të kemi mundësi t’i procedojmë pagat qysh këtë muaj”, tha Murati.