Ministri Rashiq i akuzuar për korrupsion, çfarë tha në gjykatë dhe ku mbeti rasti ndaj tij

Politikani serb, Nenad Rashiq sot në mëngjes shkoi në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Qeveri. Ai u emërua ministër për Komunitete dhe Kthim.

Më datën 7 të këtij muaji, Gjykata Themelore i liroi nga akuza katër ish-ministra të Qeverisë Thaçi II, përfshirë Rashiqin dhe kryetaren e grupit parlamentar të Lëvizsjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, të cilët janë akuzuar nga Prokuroria Speciale për korrupsion në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”. Në këtë rast, janë akuzuar gjithsej 19 persona, raporton Gazeta Express.

Në fjalën përfundimtare para gjykatës, Rashiq, sikurse të tjerët, kërkoi që aktakuza të hudhet poshtë.

Gjykata e Apelit në maj kishte vendosur ta linte në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Rashiqit dhe të tjerëve. Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi.

Në mars Themelorja ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.

Rashiq, në fjalën përfundimtare para gjykatës kithe thënë se nuk kishte qenë prezent në takimin e 8 majit 2013 , kur ishte votuar për privatizim të hidrocentraleve.

“Është e vërtetë që e kam nënshkruar atë deklaratë dhe prapë po e përsëris edhe pse nuk kam qenë prezent me 8 maj 2013, aty ku ka ndodh ai votim diskutabil, atë ditë tek prokurori unë prej fillimit kam thënë që do të bashkëpunoj sepse nuk ndihem as fajtorë as nuk e kam vepruar në mënyrë të kundërligjshme”, ka deklaruar ai.

Më pas, tha se gjatë intervistimit, i ishte kujtuar nga prokurori se kishte qenë prezent.

“Gjatë pyetjeve, kur prokurori më ka pyetur për votim me 8 maj 2013, unë kam thënë se nuk e di që kam votuar, sepse në asnjë formë nuk më kujtohej që kam qenë pjesë e votimit, por pas insistimit dhe imponimit, prokurori më bindi që kam qenë prezent dhe kam votuar dhe kjo është arsyeja që kam nënshkruar”, ka thënë Rashiq në sallën e gjyqit.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Atdhe Dema që është prokuror i këtij rasti, ka thënë se do të ankohet në Apel ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Në vitin 2020, gjatë Qeverisë Kurti I, Rashiq ishte emëruar këshilltar i kryeministrit. Gjithashtu ishte drejtor i Zyrës së Kryeministrit për Komunitete.

Ai pati dhënë dorëheqje në prill të atij viti, pasi ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë.