Ministri Sveçla e shpall “non grata” gazetaren ruse Daria Aslamova

Xhelal Sveçla ka njoftuar se si Ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të të tija ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, Nenet 17 dhe 66 A, e ka shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës, gazetaren ruse Daria Asmalovan.

Ai bëri të ditur se hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës.

“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cënon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, shkroi ministri i MPB-së në Facebookun e tij.

Po ashtu, Daria Aslamovas i është ndaluar hyrja në Moldavi më 2017.

Atë periudhë ajo ka qenë duke punuar për median ruse, Komsomolskay Pravda, e cila njihet për qëndrimet pro-Kremlinit.

Atëbotë, shërbimet e sigurisë ia kanë ndaluar hyrjen “pasi ajo nuk ka mundur të arsyetojë arsyen e vizitës”.

Ish-presidenti moldav, Igor Dodon, pati thënë se gazetarja ishte nisur për ta intervistuar atë dhe pati kritikuar autoritetet e sigurisë për një vendim të tillë.

Dodon është njohur po ashtu për qëndrimet e tij pro-Rusisë.