Arianit Koci: Vetëvendosja nuk mund t’i zhbëj vendimet e Qeverisë Haradinaj pa qenë kundër ligjit

Lëvizja Vetëvendosje sot ka paralajmëruar se do të zhbëj vendimet e Qeverisë në largim, duke përfshirë këtu anulimin e disa konkurseve në Ministri dhe agjenci qeveritare. Paralajmërime të tilla po vijnë, edhe pse ende nuk është arritur marrëveshja e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së, dhe nga të dy partitë kanë deklaruar se ende nuk kanë filluar diskutimet në lidhje me ndarjen e Ministrive. Por, po del se vendimet e Qeverisë në largim nuk mund të anulohen, të paktën jo nëse ato vendime janë marrë konform ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës, shkruan Periskopi.

Paralajmërimin për anulimin e të gjitha vendimeve të marra nga Qeveria në largim e bëri nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, përmes një shkrimi në facebook.

Madje ai tha se të gjithë personat që janë bërë pjesë e këtyre “manipulimeve”, siç i quan ai, do të thirren për të dhënë përgjegjësi.

“Ata që keqpërdorin tranzicionin qeverisës, do të mbajnë përgjegjësi. Vendimet dhe emërimet e tyre do të zhbëhen.”, ka paralajmëruar Bislimi.

Ai madje i quajti fiktive konkurset e punës të hapura gjatë kësaj periudhe tranzicioni.

Sidoqoftë, për ta pasur situatën me të qartë, Periskopi kontaktoi me avokatin Arianit Koci, i cili tha se vendimet e Qeverisë në largim, nuk mund të anulohen përveç në rastet kur ato janë marrë në mënyrë të kundërligjshme.

“Të gjitha vendimet të cilat janë marrë në mënyrë të ligjshme, janë të vlefshme, nuk mund të anulohen. Natyrisht nëse ka ndonjë vendim që është marrë në mënyrë të kundërligjshme, atëherë kanë të drejtë të anulojnë vendimet e marra nga Qeveria paraprake”, sqaroi Koci për Periskopin.