Ministrja Bajrami përplaset me kryeministrin Kurti në mbledhjen e Qeverisë

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykkmete Bajrami pati një reagim në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti gjatë mbledhjes së sotme ku po raportohet për 100 ditëshin.

Bajrami ka reaguar kur Kurti e ka quajtur LDK-në parti të regjimit të vjetër që ka bashkëpunuar me presidentin për të ardhur në pushtet.

Bajrami ka deklaruar duke thënë se pas mocionit kanë kërkuar nga LDK-ja që t’i lirojnë pozitat e ministrave, por që një gjë e tillë nuk iu është lejuar nga lideri i partisë, Isa Mustafa.

“Për ne si ministra të LDK-së kjo periudhë sidomos pas mocionit ka qenë jashtëzakonisht e vështirë para së gjithash ju e dini që të gjithë se ne të gjithë si ministra kemi kërkuar nga partia që të lirojmë pozitat mirëpo na u është kërkuar nga kryetari i partisë që në kohë të pandemisë të vazhdojmë punën dhe të mos bëjmë politikë”, ka thënë ajo.

Bajrami ka shtuar se nuk mund të konsiderohen të suksesshëm dhe në të njëjtën kohë anëtarë të partisë së regjimit të vjetër.

“Andaj i nderuar kryeministër kërkoj mirëkuptimin tuaj sepse gjatë kësaj kohe jemi munduar që të japim maksimumin, Nuk mendoj se mund të konsiderohemi të suksesshëm nëse sipas jush i takojmë regjimit e një partie politike që qenka në mbrojte e së keqes e korrupsionit, na lejoni që të vazhdojmë punën siç e kemi bërë dhe të punojmë sipas ligjit, ashtu si kemi bërë nga dita e parë”, shtoi ajo.