Ministrja e Jashtme e Shqipërisë përmend në OKB gratë e dhunuara në luftën e Kosovës: Ishin shënjestra të një fushate kriminale

Olta Xhaçka, ministrja e parë e Jashtme e Shqipërisë që adreson Këshillin e Sigurimit në OKB si vend anëtar theksoi gjatë mbledhjes së kësaj të marte se nuk mund të ketë paqe pa gratë.

Ajo gjatë fjalimit të saj, përmendi edhe gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Është një e vërtetë e trishtuar e historisë, por është gjithashtu një e vërtetë e trishtuar e ditëve dhe epokës tonë që ndërsa burrat aktualisht shkaktojnë pjesën më të madhe të luftimeve, gratë shpesh mbajnë peshën kryesore të tyre. Nuk e them këtë si një slogan klishe. E them si një mësim që ne shqiptarët e kemi nxjerrë nga historia jonë. E pamë këtë në Kosovë. Gratë u lanë pas për t’u kujdesur për familjet e tyre, gratë u lanë pas për të mbledhur pjesët e mbetura. Gratë përdhunoheshin, torturoheshin dhe vriteshin si shënjestra të qëllimshme të një fushate kriminale të spastrimit etnik”, u shpreh Xhaçka.

Ministrja shqiptare gjatë mbledhjes me temë “Gratë, Paqja dhe Siguria” tha se kjo çështje është prioriteti kryesor i agjendës së Shqipërisë për dy vitet e ardhshme.

Me krenari ajo përmendi se Shqipëria renditet aktualisht ndër 5 qeveritë e para me barazi gjinore të balancuar, me 75% të posteve ministrore të mbajtura nga gratë.

Fjala e plotë e ministres Xhaçka:

Zonja Presidente,

Është një nder i madh për mua që të jem Ministrja e Parë e Jashtme Shqiptare, që adresoj Këshillin e Sigurimit si anëtar jo i përhershëm i këtij organi të rëndësishëm. Por ajo që e bën këtë rast dhe më të veçantë për mua dhe vendin tim është çështja që po adresojmë sot: Gratë, Paqja dhe Siguria, një çështje që është prioriteti kryesor i agjendës së Shqipërisë për dy vitet e ardhshme.

Dua të falënderoj kolegen Norvegjeze dhe Presidencën e Norvegjisë për këtë mundësi. Gjithashtu dua të falenderoj Komisioneren e Lartë Bachelet për fjalën e saj. E njoh angazhimin e saj personal për këtë kauzë.

Gjithashtu dua të falenderoj Ms. Yaftali dhe Ms. Asoka për perspektivat nga terreni që ishin veçanërisht shumë informuese.

Kam punuar për këtë agjendë për disa kohë tanimë si politikane, por gjithashtu edhe si aktiviste për të drejtat e grave. Dhe gjatë gjithë këtyre viteve një mendim më ka shoqëruar në mënyrë konstante: Si është e mundur që gratë duhet akoma të luftojnë për diçka kaq elementare si barazia, e për të njëjtat të drejta si burrat që janë gjysma tjetër e popullsisë?

Është e ndërlikuar, që edhe në kohën ku jetojmë barazia e të drejtave, e përfaqësimit, edukimit dhe mundësive nuk janë të mirëqena nëse je grua. E për më tepër edhe e drejta për të marrë pjesë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë nuk merret si e mirëqenë nëse je grua.