MINT-i cakton marzhë tregtare 90 ditore për produktet e naftës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka caktuar marzhën tregtare për produktet e naftës.

Sipas MINT-it, kjo ka ardhur pas evidentimit për mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka sipas tyre, përbën bazë për rregullimin dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse.

“Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, MINT ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës”.

“Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) euro centë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) euro centë për litër”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, MINT-i ka bërë të ditur se ky vendim hyn në fuqi sot dhe mbetet në fuqi për 90 ditë, ndërsa ka njoftuar se në ditët në vijim do të ketë intensifikim të mbikëqyrjes së tregut edhe sa i takon cilësisë dhe sasistë së produkteve të naftës.

“Mbikëqyrja e zbatimit të këtij vendimi bëhet nga Inspektorati Qendror i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore”, thuhet në njoftim.