Mitrovica e varfër: 6 mijë familje me social

0
203

Mitrovica numëron 2.324 familje me asistencë sociale, Vushtrria 1.459, Skenderaj 768 dhe në komunën e Drenasit 1.112 familje.

Në komunat veriore nga ndihmat sociale që i jep shteti i Kosovës jetojnë 1.463 familje, ndërsa në gjithë Kosovën me ndihma sociale jetojnë mbi 25 mijë familje me 101.000 anëtarë. Familjet serbe marrin ndihmë sociale edhe nga Serbia, shkruan sot Zëri.

Mitrovica vazhdon të jetë rajoni më i varfër në gjithë Kosovën, duke u bazuar në numrin e familjeve që jetojnë me ndihma sociale. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, me numrin e familjeve që jetojnë me social prin komuna e Mitrovicës, e cila numëron 2.324 familje me rreth 10 mijë anëtarë.

Pas Mitrovicës me numër të madh të familjeve që jetojnë me ndihma sociale vjen Vushtrria, e cila sipas ASK’së ka 1.459 familje, 6 mijë anëtarë, ndërsa komuna e Skenderajt ka numër më të vogël të familjeve që jetojnë me ndihmë sociale, 768 familje me rreth 3 mijë anëtarë. Numër të madh të familjeve me asistencë ka edhe komuna e Drenasit, 1.112 familje me rreth 5 mijë anëtarë.