Mitrovicë: Vjehrri 77-vjeçar e keqtrajton fizikisht nusen e djalit me shkop druri

Pavarësisht rasteve të tmerrshme të cilat shumë herë kanë përfunduar me fatalitet, dhuna në familjet kosovare nuk po ka të ndalur.

Viktimat më të shpeshta po vazhdojnë të jenë gratë, të cilat po përjetojnë në vazhdimësi dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët, por edhe anëtarët tjerë të familjes.

Së fundi një konflikt familjar ka ndodhur edhe në një familje në Mitrovicë, ku vjehrri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së djalit të tij pas disa mosmarrëveshjeve.

Burimet e sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti u raportua nga viktima, e cila ka rrëfyer në Polici, se vjehrri i saj e ka sulmuar fizikisht me shkop druri, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Në deklaratën e dhënë para hetuesve, i dyshuari i ka mohuar pretendimet e nuses, duke deklaruar se nuk ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij të nisin hetimet për veprën penale ‘Dhunë në familje’’, kurse viktima u dërgua në strehimore.’.