QKUK-ja e spitalet s’kanë CO2 për operacione

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe spitalet rajonale kanë mbetur pa furnizim me dyoksidin e karbonit (në operacione mbushet barku me gaz, në mënyrë që të shihet më mirë).

Kjo mungesë pritet të vazhdojë edhe më tej, për shkak se operatorët ekonomikë nuk janë të interesuar për ta bërë furnizimin me këtë gaz.

Institucionet publike shëndetësore në vend edhe më tej po ballafaqohen me mungesë të dyoksidit të karbonit, i cili përdoret për operacione të ndryshme në Kirurgji, në Gjinekologji e në reparte të tjera. QKUK-ja dhe spitalet rajonale në vend momentalisht kanë mbetur pa këtë gaz, i cili përdoret në operacione dhe vlerësohet si tejet i rëndësishëm.

Duke u shprehur të shqetësuar pacientët i kanë thënë “Zërit” se mungesa e CO2-shit po u shkakton probleme në kohën kur kanë për të hyrë në operime, sidomos në Klinikën e Gjinekologjisë.

Gjatë këtij viti edhe nga spitalet rajonale i ishte thënë gazetës se në mungesë të këtij gazi atyre u është dashur t’i shtyjnë operacionet elektive. Nga këto spitale është thënë se probleme me furnizim kanë pasur disa herë gjatë këtij viti. E që dyoksidi i karbonit u ka munguar edhe me muaj, gjë që ua ka vështirësuar punën personelit shëndetësor.