Mjekët e operojnë pacientin në mes të rrugës për t’ia ndalur gjakderdhjen

Dy mjekë ia shpëtuan jetën një burri përmes kryerjes së një operacioni në zemër në mes të rrugës pasi ai ishte therur me thikë në Durham të Britanisë së Madhe dhe kishte gjakderdhje të madhe.

Burri kishte gjakderdhje vdekjeprurëse nga plagët që kishte marrë nga arma e ftohtë, kur ishin njoftuar shërbimet e emergjencës. Ai kishte pësuar sulm në zemër në kohën kur helikopteri i ndihmës së parë kishte arritur në vendin e ngjarjes.

Raportohet se ekipi i mjekëve kishte shkuar në vendin e ngjarjes vetëm 15 minuta pas pranimit të thirrjes, sepse në ato çaste helikopteri ndodhej në ajër.

Mjekët u frikësuan se pacienti i tyre mund të vdesë nëse dërgohet në spital, prandaj e filluan operacionin në zemër në atë vend dhe në atë moment.

Mjeku Chris Smith dhe ekipi i tij e kryen operacionin në zemër, të quajtur torakotomia, për t’ia ndalur gjakderdhjen pacientit dhe për ta vënë përsëri në funksion zemrën e tij. Sipas tij, kjo procedurë është mjaft e ndërlikuar.

Grupi i mjekëve së pari i bënë dy vrima të vogla në të dy anët e kraharor për të dalë ajri që mund të jetë bllokuar në organizëm dhe më pas ia prenë gjoksin për të pasur qasje në zemër dhe mushkëri. Mjekët zbuluan se gjaku afër zemrës së pacientit kishte filluar të koagulohej pasi ia prenë një shtresë të quajtur pericardium.

Pacienti mbijetoi, por pësoi lëndime që do t’ia ndryshojnë jetën. Besohet se ky është operacioni i parë i këtij lloji që kryhet jashtë sallave të operacionit në këtë rajon, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.