Mjeku italian: Beteja e Italisë me koronavirusin, më e rëndë se lufta në Kosovë

Marco Resta, zëvendësdrejtor në Repartin e Kujdesit Intensiv të Poliklinikës “San Donato” të Italisë, në një reportazh special të agjencisë së lajmeve Reuters ka tërhequr paralele mes gjendjes në të cilën ndodhet shteti i tij, me luftën në Kosovë.

Ky mjek i dikurshëm ushtarak ka thënë se gjendja në Lombardi është më e rëndë sesa lufta në Kosovë, ku kishte shërbyer në ekipin e forcave ajrore të shpëtimit, që bartte pacientët nga Shqipëria drejt Italisë.

Ai ka treguar se sa herë që një pacient me koronavirus pranohet në spital Italian, stafi i shkruan email familjarëve duke i siguruar se familjari i tyre do të trajtohet “si familje”.

Në reportazhin e Reutersit përshkruhen sfidat me të cilat përballen aktualisht mjekët në Itali.

“Beteja me koronavirusin ndërpritet për çdo ditë në orën një të pasditës. Është ajo pikërisht koha kur mjekët e repartit intenziv në Poliklinikën San Donato telefonojnë të afërmit e pacientëve në gjendje kritike, që të gjithë nën qetësues, për t’i njoftuar ata me të dhënat më të reja. Dikur, këta të afërm vizitonin familjarët e tyre. Por tani, teksa shteti përballet me epideminë e koronavirusit që ka lënë më shumë se 2.000 të vdekur në këtë shtet, vizitorët nuk lejohen. Dhe, askush në Itali nuk largohet më prej shtëpive të tyre”, shkruan Reuters.

Kur mjekët telefonojnë të afërmit e pacientëve në gjendje të rëndë, ata mundohen të mos i ushqejnë me shpresa të rreme: Ata e dijnë se një prej dy pacientëve në kujdesin intensiv ka gjasa të vdesë.

Në Itali, teksa epidemia e COVID-19 po shtrihet, shtretërit në spital po bëhen gjithnjë e më të kërkuar, posaçërisht shkaku i problemeve me frymëmarrje që shkakton virusi.

Kriza më e rëndë mjekësore në Itali që nga Lufta e Dytë Botërore është duke detyruar mjekët, pacientët dhe familjet e tyre që të marrin vendime të cilat Resta, ish-mjeku ushtarak thotë se nuk i ka përjetuar as në luftë.