Mjeku: Vaksina e turbekulozit ka rritur imunitetin e shqiptarëve ndaj COVID-19

Një 90-vjeçar humbi jetën si pasojë e koronavirusit, duke çuar në 25 numrin e viktimave në Shqipëri. I moshuari ishte i shtruar në spital prej disa ditësh, e ndërsa vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Po sa të rrezikuar janë shqiptarët nga COVID-19? A mund të hamendësohet se mund të shkojmë drejt një trendi në rritje të të vdekurve, po ashtu dhe të infektuarve si në SHBA, Itali e Spanjë?

Një lajm mjaft shpresëdhënës është dhënë nga mjeku Arjan Harxhi, i cili është shprehur se vaksina e turbekulozit ka rritur imunitetin e shqiptarëve ndaj COVID-19.

Mjeku infeksionist Arjan Harxhi deklaroi në studion e “Abcnews”, se vaksina e turbekulozit është një e dhënë për përhapjen e COVID-19 në botë. Ai tha se mendohet se kjo vaksinë ka rritur mbrojtjen e organizmit nga kjo sëmundje, për shkak se është një vaksinë që rrit imunitetin.

“Ka pasur shumë debate për vaksinën e turbekulozit. Është një e dhënë për përhapjen e këtij infeksioni në hartën e botës midis vendeve që e kanë përdorur, si është edhe Shqipëria. Mendohet të ketë rol për mbrojtjen, për shkak se kjo vaksinë rrit imunitetin. Kur thuhet test, nuk do të thotë që të gjithë të testohen.

Ajo bëhet për të dhënë diagnozën, për të marrë vesh që ai që ka temperaturë, të kuptohet nga se vuan, por edhe për të evidentuar dhe gjurmuar e më pas izoluar edhe rastet e kontaktit që mund të jetë të prekur.

Kjo do jetë strategjia e të ardhmes dhe lëshimit. Nuk do të jetë rihapje si mbyllja, pra e menjëhershme. Duhet të rriten kapacitetet, për të identifikuar edhe antitrupat, ata persona që e kanë kaluar dhe janë të mbrojtur.

Publikimi i emrave nuk ndihmon shumë, sepse një pjesë e mirë nuk ka shenja. E rëndësishme është të identifikohen sa më shumë kontakte”, tha Harxhi.