Arrestohen katër të dyshuar për vrasjen në Malishevë

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për implikim në vrasjen e sotme që ka ndodhur në fshatin Balincë të Malishevës.

Rasti ka ndodhur rreth orës 13:00 ku sipas Policisë, një person është qëlluar me armë zjarri dhe i njëjti më pas ka ndërruar jetë.

Policia po ashtu ka bërë të ditur se ka konfiskuar një armë zjarri nga vendi i ngjarjes.

“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë-Malishevë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekja e tij”, tha Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë në Rajonin e Gjakovës.

Elezaj tregoi për Paparacin se prokurori i Shtetit është njoftuar për këtë rast dhe se po merren veprimet e nevojshme hetimore.

“Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë”.