Modeli belg si zgjidhje për Asociacionin? – flet ambasadori i Belgjikës në Serbi

Ambasadori belg në Serbi, Koenraad Adam, tha se modeli kushtetues belg nuk mund të kopjohet nga vende të tjera, por se disa nga elementët e tij mund të jenë interesante për t’u përdorur në dialogun Kosovë-Beograd, transmeton Klankosova.tv.

Adam i pyetur për komunitetin gjermanishtfolës në Belgjikën lindore, për raportimet e mediave se BE-ja mund ta propozojë modelin si zgjidhje për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, tha se vendi i tij ka një kushtetutë shumë specifike, pjesë ose procedura të së cilës “mund të shërbejnë si frymëzim për problemet diku tjetër në botë.”

“Gjatë karrierës sime, u kam shpjeguar të gjithë bashkëbiseduesve të mi se Belgjika është një vend që eksporton shumë gjëra, por jo modelin e saj kushtetues. Ne kemi një model mjaft të sofistikuar kushtetues, të krijuar për të ofruar zgjidhje për problemet e Belgjikës. Nuk është diçka që ju mund ta kopjoni në një situatë tjetër”, ka thënë Adami në një intervistë për Betën, shkruan Kosovonline, transmeton Klankosova.tv.