Moisiu i ashpër me Metën: 30 Qershori do t’i presë rrugën një presidenti të rrezikshëm

Ish-presidenti Alfred Moisiu, i ftuar në ‘Kjo javë’ ka folur për zgjedhjet e 30 qershorit.

Moisiu është shprehur se dita e nesërme nuk e zgjidh situatën politike, por vetëm i pret rrugën një presidenti të rrezikshëm.

Sipas Moisiut, probleme të tilla mes mazhorancës dhe opozitës ekzistojnë në të gjithë bottën, por duhet të jetë presidenti ai që duhet të di t’i ndryshojë.

“30 qershori nuk e zgjidh këtë situtatë, vetëm i pret rrugën një presidenti të rrezikshëm sepse kuptohet mazhoranca dhe opozita kanë problemet e tyre si e gjithë bota.

Prandaj edhe partitë kryesore si në kohën kur kam qenë unë kanë marrë një vendim dhe është firmosur.

Megjithëse u ra dakort, nga opozita u kërkua kohë dhe ranë dakort të gjitha palët.

Megjithatë unë e pranova këtë pjesë dhe i kërkova kuvendit të asaj kohe, kryesisë, ishte pikërisht neni 131/ 1 dhe zhvlerësova dekretin e mëparshëm duke vënë një të ri”, tha Moisiu.

Moisiu tha se mosndëshkimi i politikanëve që kanë shkelur ligjin, ka rritur “zullumet”.

Ai u shpreh se mendon se do të ketë arrestime të zyrtarëve të lartë, dhe se kjo është e vetmja formë që “ne të mësojmë”.

Moisiu tha se është zhgënjyer nga akti i opozitës për djegien e mandateve, ndërsa tha se në këtë kohë po ndodh një tërmet politik që do të ketë pasoja për të dyja palët, por më shumë për opozitën.

I pyetur se a mendon se do të ketë arrestime të zyrtarëve të lartë, ai u shpreh:

“Duhet të ketë arrestime të zyrtarëve të lartë, padyshim, sepse ndryshe ne nuk mësojmë, madje kjo frikë i ka detyruar disa politikanët të bëjnë veprime të pamatura.

Ky është një tërmet politik, dhe do të ketë pasoja tek të dy krahët, por tek opozita më shumë, sepse bënë një vendim shumë të pamatur për djegien e mandateve. Sjelle negative ndaj popullit, përbuzje”, u shpreh ai.