Molliqaj i ftoi në takim, a do t’i bashkohen partitë tjera për ta kundërshtuar rritjen e çmimit të rrymës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka ftuar në takim partitë tjera opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile, e përfaqësues të sindikatave, për të diskutuar rreth kundërshtimit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Molliqaj ka shkruar të martën se nga e mërkura do t’i ftojë në takim përfaqësuesit e partive opozitare parlamentar e joparlamentare, për të diskutuar rreth një kundërpërgjigjeje të përbashkët për shtrenjtimin e rrymës.

Kreu i PSD-së ka deklaruar se për hapat e kundërshtimit do të vendoset në takimin e së premtes.

“Nga nesër do t’i ftojmë në një takim për të premten të gjitha partitë parlamentare e joparlametare opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave të ndryshme dhe të gjithë ata persona publik e jopublik që janë të interesuar që bashkërisht ta kundërshtojnë vendimin e rritjes së çmimit të rrymës. Bashkërisht, do të vendosim për hapat dhe mënyrën e kundërshtimit”, ka shkruar Molliqaj.

Molliqaj ka deklaruar se takimi do të fillojë në orën 13:00.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) miratoi më 8 shkurt faturat e reja me rritje – vetëm për një kategori të konsumatorëve – të cilat hynë në fuqi një ditë më vonë.

Mbi 5 euro e lart do të jetë diferenca e faturës së rrymës që do të paguajnë ata qytetarë të Kosovës, që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj.

Nga vendimi i ZRRE-së për rritje preken vetëm ata konsumatorë familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj; ata që shpenzojnë nën këtë sasi, nuk do të vërejnë ndryshime në faturë.

Sipas sqarimeve të ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë 900 kilovatë në muaj, me tarifat e reja do të paguajnë 57.9 euro. Me tarifat e deritashme kanë paguar 52.9 euro. Kjo nënkupton që dallimi në faturë do të jetë 5.1 euro.

Për konsumatorët që shpenzojnë 1000 kilovatë, dallimi në faturë do të jetë 10.1 euro; për 1100 kilovatë – 15.2 euro; për 1200 kilovatë – 20.3 euro.

Pra, pas kalimit të pragut prej 800 kilovatësh, diferenca e konsumit do të faturohet me 5.9 centë për kilovatë gjatë tarifave të ulëta dhe me 12.5 centë për kilovatë gjatë tarifave të larta.

Ose, thënë ndryshe, për çdo 100 kilovatë të shpenzuar përtej pragut prej 800 kilovatësh, konsumatorët do të paguajnë rreth 5 euro më shumë.