Molliqaj: Kam qenë kundër koalicionit me AAK-në

Ish-deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj, ka folur për herë të parë në televizion pas rezultatit të zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit.

Molliqaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ai personalisht ka qenë kundër koalicionit me AAK-në dhe këtë gjë ai thotë se ia ka thënë edhe Ramush Haradinajt.

Ai thotë se politikisht dhe ideologjikisht e ka ditur se koalicioni AAK-PSD nuk mund të funksionojë dhe se nuk mund të bashkojë votat e dy partive.

“E kam ditur që ideologjikisht dhe strukturalisht është shumë e vështirë që këto dy parti të bashkohen. Nuk kam pritur rezultat kaq zhgënjyes por jo edhe shumë nga ai koalicion”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Molliqaj thotë se pas arritjes së koalicionit ai e ka mbrojtur në maksimum koalicionin.

“AAK nuk i ka bërë dëm PSD-së dhe e kundërta. Të dy palët i kanë gabimet e veta”.

Ish-deputeti i PSD-së thotë se nëse analizohen kandidatët e AAK-së, pos Albena Reshitajt që është nga Suhareka, ata tjerët që kanë fituar mandatet e deputetëve janë nga Istogu deri në Gjakovë.

“Cilin ta marrim ata marrin në start 4 mijë vota në zona të caktuara të Dukagjinit. Pastaj ata kanë marrur edhe disa vota në komuna tjera dhe kanë fituar mandatet. Nuk mund të kem pritur që votuesi i AAK-së më mbështet mua para se të mbështesë shembull Blerim Kuçin”, tha Molliqaj.