Molliqaj: Krejt dhe Drejt nuk është demokraci

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti është është e rrezikshme dhe thellësisht antidemokratike

Ky reagim i tij vjen pasi Kosova nuk është ftuar për të marrë pjesë nga Shtëpia e Bardhë në Samitin e Demokracisë.

“Krejt dhe Drejt nuk është demokraci. Qeveria e Kosovës është e rrezikshme dhe thellësisht antidemokratike. Do të ishte kështu edhe po të ftohej në Samitin e Demokracisë. Dhe nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen edhe do të ftohet nga amerikanët. Po pati përputhje agjendash, Kurti do të mbështetet nga ShBA, por kjo nuk do ta bëjë demokrat. Ani pse, mungesa e ftesës duhet pa si simptomë për t’u marrë seriozisht”.

“Kritika për mungesë te demokracisë duhet të burojë nga Kosova e të rritet në Kosovë. Janë qytetarët e këtij vendi që do të pësojnë nga Projektligji që ia mundëson Partisë kontrollin mbi Këshillin Prokurorial. Janë këta qytetarë qe do të penalizohen nga modeli bullgar që ka zgjedhur Qeveria mbi konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Këta duan të formojnë trupa arbitrare dhe jashtë sistemit prokurorial për të bërë hetime”.

“Vlerësimin mbi demokracinë duhet ta vendosin këto çështje. Demokrat je ose nuk je përballë njerëzve të Kosovës. Ka aq shumë çështje që ndërlidhen me demokracinë për të cilat duhet kritikë e angazhim. Për këtë s’ka nevojë të presim licenca nga jashtë. Mjafton t’i shohim nismat ligjore dhe vendimet arbitrare”,ka shkruar Molliqaj në rrjetin social Facebook.