Molliqaj: PDK’së nuk i duhet një Lumir që e shet demokracinë për një llogari të ngushtë elektorale

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka komentuar opozitarizmin e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të cilin thotë se Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nuk i duhet një Abdixhik, që e shet demokracinë për një llogari të ngushtë elektorale.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Dardan Molliqaj ka shkruar për zgjedhjet që do të mbahen brenda PDK’së.

Ai thotë se sulmi nga KQZ’së duhet të jetë alarm për rreziqet që e presin vendin, ndërsa thotë se partia e Abdixhikut nuk i ka dhënë nënshkrimet për ta dërguar në Kushtetuese vendimin e Presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetarit të KQZ’së.

“Shikojeni Lumirin, ai është mësimi!… Zgjedhjet në PDK nuk janë punë e imja, prandaj nuk dua të flas për emra. Çfarë më intereson është e ardhmja e opozitës në Kosovë. Për bindjen time, lakimi i emrave pa pyetjen mbi rrugën që do të ndiqet s’ka asnjë dobi. Sulmi flagrant ndaj KQZ-së duhet të jetë alarm për rreziqet që e presin vendin. PDK-së nuk i duhet një Lumir që e shet demokracinë për një llogari të ngushtë elektorale. Shikojeni Lumirin, cili është mësimi?! S’ka nënshkrime për Gjykatën Kushtetuese sepse synojmë votat e humbura nga Presidentja vegël. Rrjedhimisht, vegël e veglës. Secila llogari është e pamatshme përballë ruajtjes së lirive politike e ambientit demokratik në shoqëri dhe institucione”, shkroi Molliqaj në Facebook.

Ai thotë se opozita do të ketë sukses nëse do të arrijë t’i artikulojë e t’iu përgjigjet detyrave të kohës.

“Përpjekja për t’u dëshmuar para propagandës që na vjen si “opinion publik” në formën e kërkesave për ndryshim është pranim i pushtetit si instancë ideologjike. Sa më shumë i nënshtrohemi këtij gjykimi më fajtor do të ndjehemi. Kjo është një dinamikë mizore që fundos e desubjektivizon sepse instanca e gjykimit është jashtë autonomisë tënde. Opozita do të ketë sukses nëse do të arrijë t’i artikulojë e t’iu përgjigjet detyrave të kohës. Suksesi i UÇK-së është guximi në kohë. Kjo trashëgimi ka lidhje të mirë ekuivalence me kërkesat e sotme. Thirrja universale e saj përshtatet e frymëzon betejën për shoqëri demokratike. Bashkimi rreth këtyre çështjeve duhet të jetë bashkëpunimi i opozitës e bashkimi i njerëzve”, ka shkruar ai.