Molliqaj sqarohet për incidentin ndaj policit

Kryetari i Partisë Social Demokratike, Dardan Molliqaj, ka dhënë detaje për incidentin që ka ndodhur me zyrtarin policor para objektit të Qeverisë së vendit, gjatë protestës që është mbajtur ditën e djeshme.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se përgjegjësia për rastin i takon atij.

“Më takon mua ta marr përgjegjësinë për incidentin teksa po përgatiteshim për të mbajtur fjalim tek qeveria. Unë duhet të isha i përmbajtur pavarësisht provokimeve. Ndjej keqardhje për atë çfarë ndodhi. Mbi të gjitha, kemi përgjegjësi që qëllimi i protestës të jetë parësor dhe efekti i saj maksimal”, ka shkruar Molliqaj.

Tutje, ai ka deklaruar se ndaj tij zyrtarët policor nuk ishin treguar korrekt.

“Ne ishim në përpjekje e sipër që t’i lirojmë shkallët ku planifikonim t’i mbanim fjalimet. Në ato momente, dy komandantët e operacionit më kanë ftuar që të diskutojmë, por në të njëjtën kohë policët tjerë më kanë shtyrë, tërhequr zvarrë, sharë e ofenduar. Ajo ka qenë situata kur unë kam shtyrë njërin nga policët. Pra, jo goditje, shtyrje. Lus që videot të publikohen të plota. Komandantët prezent duhet ta japin dëshminë e plotë. Edhe një herë, ky sqarim nuk dua të kuptohet si arsyetim”.

“Dua ta sqaroj se PSD nuk e ka dhunën mjet as qëllim. Por, futja e protestës në këtë regjistër është paralajmërim. Propaganda që po synon ta kriminalizojë një protestë paqësore ku asgjë nuk është dëmtuar dhe askush nuk është lënduar flet mjaft për tendencat e pushtetit. Trajtimi selektiv i protestuesve po ashtu. Për shkak të pamjes së protestuesve kërkonim që 2 folësit të flasin nga shkallët. Në të njëjtin vend që disa protestues tjerë e kishin bërë para 3 ditësh. Fërkimet që u krijuan në fillim ishin rezultat i kërkesës për fjalim. Pas fjalimeve, i kemi realizuar aksionet simbolike dhe kemi njoftuar që kjo s’është protesta e fundit”.