Molliqaj thotë se Kosova s’mund të anëtarësohet në NATO

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj thotë se Kosova nuk “ka asnjë shancë për t’u anëtarësuar” në NATO. Sipas tij, e gjithë kjo, pasi që pesë vendet e Bashkimit Europian, që janë edhe pjesë e NATO’s, nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Sepse pa na njohur pesë shtetet anëtare të BE’së, ne nuk kemi asnjë shancë me bë asnjë veprim drejt NATO’s. Mund të bësh kërkesa çdo ditë, por unë besoj që rruga do të duhej të ishte krejt tjetër”, tha Molliqaj në Tëvë1.

Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë për një konflikt me shtetin serb, por që duhet arritur një marrëveshje paqësore.

‘’Kosova do të duhej të gëzohej që Serbia megjithatë ka bërë hapa drejt perëndimit, nuk na duhet luftë as konflikt na duhet marrëveshje e paqes me Serbinë. Ne na duhet marrëveshje paqe me Serbinë. Nuk mund ta detyrojmë Serbinë, por duhet që të punojmë me faktorin ndërkombëtar siç e tha edhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që duhet të dyfishojmë përpjekjet për marrëveshje të paqes. Në vend se të ndjekim këtë rrugë, këtu kishte thua që lufta duhet të fillojë’’, shtoi ai.