Kurti në Durrës: FSK dhe ushtria shqiptare po na i ngrohin zemrat me profesionalizëm

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti po qëndron sot në Durrës ku do të vizitojë zonat e prekura nga tërmeti.

Para kamerës, Kurti tha se ka ardhur që konkretisht ta shoh gjendjen në Shqipëri, shkruan lajmi.net.

Ai ka lavdëruar FSK-në dhe ushtrinë shqiptare për bashkëpunimin e deritanishëm në operacionet e kërkim-shpëtimit.

“Erdhëm që të shohim konkretisht gjendjen. Besoj që në një krizë të tillë, ushtria është edhe mjeti edhe mënyra më e mirë për organizim të duhur. FSK dhe Ushtria e Shqipërisë po bashkëpunojnë në mënyrë të shkëlqyeshme. Me profesionalizmin e tyre, ata po na i ngrohin zemrat se do të dalim nga kjo gjendje e rëndë që na ka goditur. Besoj që dy Qeveritë tona duhet të takohen dhe tema të jetë gjendja pas tërmetit. Besoj që rreziku mund të ketë rënë një çik, por jeta e rëndë, si një lloj krize humanitare e njerëzve”, ka thënë ai.