Molliqaj: Vërsulja e policisë ndaj gazetarëve është e rrezikshme dhe e papranueshme

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka komentuar ngjarjet e sotme ku Policia shkoi në redaksinë e “Insajderit” për të intervistuar drejtorin dhe gazetarët lidhur me hulumtimin e publikuar për vaksinat.

Molliqaj ka thënë se “vërsulja” e Policisë ndaj gazetarëve është e rrezikshme dhe e papranueshme. Sipas tij një gjë e tillë nuk është parë nga pushtetet e kaluara.

Sipas Molliqajt, Prokurori vetëm nëse zgjedh të bëhet instrument i përndjekjes politike sepse përndryshe nuk ka punë me “Insajderin”.

“Çfarë na duhet është imunizim ndaj autoritarizmit. Vërsulja e policisë ndaj gazetarëve është e rrezikshme dhe e papranueshme. Diçka të tillë nuk kemi parë nga pushtetet e kaluara. Është shqetësues zelli i organeve të ndjekjes për t’u përgjigjur përpara Dr Hipokritit. U aktivizuan fill pas konferencës. Prokurori i shtetit nuk ka punë me Insajderin, përveç nëse zgjedh të bëhet instrument i përndjekjes politike”, ka thënë Molliqaj në Facebook.

Sipas tij, Qeveria ka filluar që të abuzojë me “interesin e madh publik”. Kryetari i PSD-së thotë se tani është rasti që të tërheqet vërejtja ndaj sjelljes së tyre të papërgjegjshme.

“Pushteti “Krejt dhe Drejt”, sikur të gjitha pushtetet me mendësi totalitare ka filluar të abuzojë me “interesin e madh publik”, në emër të të cilit po e arsyeton përndjekjen. Këtu është rasti ta tërheqim vërejtjen për sjelljen e tyre të papërgjegjshme: ta kujtojmë sjelljen e tyre kur shkelën pafytyrësisht rregullat për mbrojtje nga pandemia në kohë zgjedhjesh, shkelje këto që rriten numrat e infektimeve dhe të viktimave; pastaj vendosen masa këtu, e mësyen andej kufirit; kur refuzuan vaksinat për shkak të zgjedhjeve në Shqipëri, ku s’janë fare në lojë; njëjtë edhe tash me vaksinat e Pfizer. Ja, pra, ky është përkushtimi në emër të të cilit po përndjekin. Përtej kësaj, shoqëria jonë ka nevojë për një debat të vërtetë mbi rolin e mediave në shoqëri, por edhe raportimin e drejtë dhe objektiv. Kjo sepse mediat janë ndërmjetësuesi kyq midis ngjarjeve dhe pahtësimit të tyre. Mediave duhet t’ua ruajmë paprekshmërinë karshi pushtetit, por humbja e besueshmërisë e bën vetë pushtetin imun karshi kritikës.”, ka shkruar kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj./Fokusi.info/