Moti nesër dhe ditëve në vazhdim

Nesër në Kosovë do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira. Temperaturat do të shënojnë ngritje të ndjeshme dhe ato maksimalet mund të arrijnë deri në 20 gradë Celsius në nivel vendi. Erërat jugore do të vijnë duke u fuqizuar gradualisht dhe në disa rajone ato mund të arrijnë shpejtësinë maksimale rreth 65 km/h, por erërat nuk do të jenë të pandërprera.

Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi nesër do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira të pakta. Do të jetë mjaft ngrohtë për këtë periudhë kohore.

Edhe pasnesër do të kemi mot të ngrohtë në tërë rajonin, por njëkohësisht do të ketë përsëri fuqizim të erërave jugore të cilat vende-vende në disa intervale mund të arrijnë shpejtësinë deri në 75-80km/h. Pasdite vonë në disa rajone në Shqipëri dhe Dukagjin do të ketë reshje lokale shiu si dhe mundësi për rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të enjten dhe të premten do të kemi mot mjaft jo stabil. Priten ulje të temperaturave dhe reshje të herëpashershme shiu e bore në viset kodrinore-malore. Reshjet e bores mund të paraqiten edhe nëpër disa ultësira në Republikën e Kosovës./Meteoballkan