Moti nesër dhe ditëve në vazhdim në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni

Nesër në Kosovë do të mbajë mot mjaft i ftohtë dhe me ngrica sidomos në mëngjes, vende-vende do të ketë edhe mjegull e cila do të shtojë edhe më shumë ndjesinë e të ftohtit. Gjatë ditës priten ngritje graduale të temperaturave por do të mbetet mjaft ftohtë krahasuar me ditët e kaluara.

Në tërë rajonin nesër pritet të mbajë mot i ftohtë në mëngjes, vende-vende me mjegull dhe ngrica. Gjatë ditës pritet përmirësim gradual i motit.

Pasnesër do të fillojnë të fryjnë përsëri erërat jugore të cilat do të ndikojnë në ngritjen e temperaturave, por kjo do të jetë një shenjë e përkeqësimit të motit që pritet natën mes së hënës dhe së martës dhe të martën. Gjatë kësaj nate dhe të martën pritet depërtimi i frontit të fuqishëm të ftohtë ajror nga veriu. Priten reshje shiu në tërë rajonin të cilat do të shndërrohen në reshje bore në Kosovë, Shqipërinë veriore dhe verilindore dhe disa rajone të Maqedonisë së Veriut. Priten po ashtu ulje të theksuara të temperaturave si pasojë e depërtimit të ajrit të ftohtë polar.

Pra të martën do të kemi reshje bore në shumë pjesë të rajonit tonë. Do të jenë këto reshjet e para të dëborës të cilat do të përfshijnë edhe shumë ultësira, megjithatë nuk priten reshje të mëdha dhe gjithashtu duhet theksuar se reshjet e borës nuk do të jenë të qëndrueshme më shumë se një ditë ose dy për shkak se erërat jugore do të rikthehen përsëri nga mesi i javës tjetër.

Në bregdet dhe shumicën e territorit të Shqipërisë priten reshje të reja shiu, ndërsa në viset malore do të ketë reshje bore./Meteoballkan/