Moti nesër dhe ditëve në vazhdim në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi

Nesër në Kosovë do të mbajë mot i ndryshueshëm, me erëra jugore dhe shtim të vranësirave. Mund të ketë edhe ndonjë rigë shiu apo fjollë bore në ndonjë rajon. Gjatë natës pritet depërtimi i frontit të ftohtë, erërat do të ndryshojnë drejtim dhe do të fillojnë të fryjnë nga veriu. Reshjet e shiut që do të fillojnë gjatë natës do të shndërrohen në reshje shqote dhe bore.

Në Shqipëri nesër pritet shtim i vranësirave, ndërsa gjatë natës pritet të fillojnë edhe reshjet e shiut. Vende-vende priten reshje intensive shiu. Në viset malore mund të paraqiten reshjet e borës, ndërsa në verilindje të vendit priten reshje bore në zona të gjera.

Në Maqedoninë Veriore nesër do të mbajë mot me shtim të vranësirave dhe erëra jugore. Reshjet në Maqedoni do të fillojnë në mëngjesin e së martës ku priten reshje shiu, por edhe reshje bore në shumë rajone. Në Mal të Zi nesër pasdite pritet të fillojnë reshjet e shiut, ndërsa gjatë natës në veri të vendit pritet të fillojnë reshje mjaft të dendura bore.

Pasnesër në viset kontinentale të rajonit tonë pritet ditë e vërtetë dimërore, me reshje të herëpashershme bore, ndërsa në viset mesdhetare dhe bregdetare pritet ditë vjeshtore me vranësira dhe reshje shiu. Reshjet e borës do të krijojnë edhe shtresa dekorative në shumë pjesë të Kosovës, ndërsa në viset kodrinore-malore priten shtresa deri në 10- 15 cm, lokalisht edhe më shumë.

Të mërkurën pritet të kemi mot mjaft të ftohtë por pa reshje atmosferike, ndërsa nga e enjta priten ngritje të temperaturave në tërë rajonin tonë/Meteoballkan/