Shteti humb miliona euro në vit shkaku i veturave të paregjistruara

Me ndryshimin e Ligjit për automjete nga muaji janar i vitit 2018 është kufizuar edhe regjistrimi i tyre sipas vjetërsisë. Por, në rrugët e Kosovës qarkullojnë një numër i madh i veturave. Të dhënat e institucioneve tregojnë se janë mbi 500 mijë vetura në Kosovë, e nga ky numër janë mijëra sosh, të cilat as nuk janë të regjistruara.

Qytetarët e Kosovës kanë në pronësi mbi 47 mijë vetura që nuk janë të regjistruara apo të siguruara dhe ato qarkullojnë nëpër rrugët e vendit dhe shpeshherë edhe shkaktojnë aksidente.

Nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, shihet se janë saktësisht 47 mijë 48 vetura të paregjistruara, të cilat janë identifikuar nga viti 2010.

Mirëpo ky numër nuk po shihet real nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, e cila konsideron se numri i veturave të paregjistruara është shumë më i madh.

Drejtori i kësaj shoqate, Sami Mazreku ka thënë se janë së paku 110 mijë vetura të pa regjistruara, dëmet e të cilave janë prej miliona euro si për kompanitë e sigurimeve, ashtu edhe për buxhetin e shtetit.

“Vetura të paregjistruara janë rreth 110 mijë. Këto dëme për industrinë janë sikurse vende të minuara me bomba. Dëmet që i shkaktojnë këto vetura nëpër aksidente i paguajnë të gjitha kompanitë e sigurimeve përmes fondit të kompensimit që është në kuadër të Byrosë Kosovare të Sigurimeve. Janë 2.5 deri në 3.7 milionë euro çdo vit që Byroja paguan dëme për këto automjete të paregjistruara dhe të pasiguruara e që janë barrë shtesë për kompanitë e sigurimeve”, ka thënë Mazreku.

Për drejtorin e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, ky numër i veturave të paregjistruara është shqetësues, sepse humbjet për shtetin sillen deri në 5 milionë euro në vit, kurse 44 milionë euro paguhet dëme nga kompanitë.

“Ky numër sigurisht që është shqetësues sepse nga viti 2001 e deri 2018 diku rreth 44 milionë euro janë paguar dëme për këto automjete ndërsa humbja për shtetin është mbi 5 milionë euro”, tha Mazreku.

Ai tutje kë bërë me dije se Shoqata e Sigurimeve të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të bëhet pastrimi i data bazës, kështu duke u bërë e fshirja e veturave të paregjistruara më shumë se dy vite.

“Ne si shoqatë që nga viti i kaluar kemi kërkuar nga MPB-ja që të nxirret një udhëzim që të pastrohet databaza. Kjo nënkupton që automjetet që janë më shumë se dy vite të paregjistruara, të shihet mundësia që të fshihen nga sistemi në forma ligjore ose të njoftohen qytetarët që ata t’i çlajmërojnë ato vetura dhe pastaj ne si shoqatë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës t’i fokusojmë kampanjat tona në ato qytete ku është numri më i madh i vetura të paregjistruara”, tha ai.

Mbi 300 mijë dënime në trafik

Ndërkaq nga Policia e Kosovës tregojnë se shifrat e aksidenteve për vitin 2019 janë mjaft të larta.

Për këtë vit kanë ndodhur 66 aksidente të rënda, ku kanë humbur jetën 76 persona dhe janë lënduar 4 mijë e 443 persona.

Për periudhën janar- shtator janë shqiptuar 321 mijë e 690 tiketa trafiku.

Në shumicën e rasteve, sipas Policisë, fajtor është faktori njeri dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar për ngasje.

Kujtojmë se sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të dhënë kohë më parë për FaktePlus, në Kosovë janë rreth 1120 lloje të veturave të regjistruara, prej të cilave 10 markat më të preferuara të kosovarëve janë: VW, Opel, Mercedes-Benz, Audi, Ford, Renault, Peugeot, Fiat, BMW dhe Daimler Benz.

Kufizimi i importit të veturave të vjetra deri në dhjetë vjet hyri në fuqi më 1 janar 2018, me arsyetimin se në Kosovë po importohet një numër i madh i veturave të vjetra, e të cilat po shkaktojnë probleme si në komunikacion, por edhe në ndotje të mjedisit.