Moti nesër dhe ditëve në vazhdim në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi

Nesër në Kosovë do të mbajë mot i ngjashëm sikurse sot, me vranësira dhe kryesisht i thatë, megjithatë në disa rajone mund të ketë riga të dobëta shiu ose fjolla të dobëta bore kryesisht në viset kodrinore-malore.

Edhe në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi nesër do të mbajë mot i ngjashëm sikurse sot. Do të dominojnë kthjellimet dhe thatësia.

Edhe të premtën në tërë rajonin tonë nuk pritet ndonjë ndryshim i motit, përpos që priten ulje të lehta të temperaturave në tërë rajonin në krahasim me nesër dhe pasnesër.

Të shtunën dhe të dielën në rajonin tonë do të depërtojë një masë e fuqishme e ftohtë ajrore nga Siberia. Në Kosovë priten reshje bore dhe erëra herë pas here të fuqishme veriore si dhe ulje të theksuara të temperaturave. Nëpër ultësira priten reshje kryesisht të dobëta dhe të herëpashershme bore, ndërsa në viset kodrinore-malore mund të ketë reshje më intensive bore dhe shtrëngata dimërore.

Në viset tjera të rajonit tonë do të jetë kryesisht thatë dhe ftohtë, përpos në disa vise malore të Shqipërisë dhe Maqedonisë ku do të ketë reshje të herëpashershme bore.