Moti nesër dhe ditëve në vazhdim në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi

Nesër në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët, me mundësi edhe për intervale kohore me diell. Do të jetë relativisht ftohtë me tendenca të ngritjes graduale të temperaturave.

Edhe në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të zi nesër pritet stabilizim i motit dhe ngritje graduale e temperaturave. Do të ketë alternime të rrezeve diellore dhe vranësirave, por pa reshje atmosferike.

Pasnesër në tërë rajonin priten ngritje të ndjeshme të temperaturave sepse do të rifillojnë të fryjnë erërat jugore, por njëkohësisht herë pas here priten edhe vranësira. Në Kosovë pasdite vonë mund të ketë riga të dobëta lokale shiu, ndërsa reshje më intensive afatshkurtëra shiu mund të ketë në veriperëndim dhe veri të Shqipërisë si dhe në ekstremin jugor të vendit.

Të enjtën në tërë rajonin pritet të kemi mot mjaft të ndryshueshëm, me intervale kohore me diell dhe zhvillime të vranësirave të cilat herë pas here do të sjellin reshje shiu. Vende-vende do të ketë kushte edhe për rrebeshe të fuqishme lokale (afatshkurtëra) me vetëtima dhe bubullimë./Meteoballkan/