Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë. Temperaturat maksimale pritet të sillën nga 32 deri në 36 gradë Celsius. Nga ora 10:00 deri në orën 16:00 rekomandohet që të mos ekspozoheni në rrezet e diellit pa ndonjë nevojë. Pasdite në veriperëndim të vendit mund të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu me ndonjë vetëtima dhe bubullimë.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe mjaft i nxehtë.

Dita e parë e Shtatorit do të na sjellë freskim të motit. Vende-vende priten edhe vranësira dhe rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë, por reshjet do të jenë mjaft të izoluara dhe shumë rajone do të mbesin pa reshje fare. Priten erëra herë pas here të fuqishme nga perëndimi dhe veriperëndimi.

Të mërkurën na pret mot i këndshëm dhe i freskët, me intervale kohore me diell dhe vranësira lokale por pa reshje.

Nga e enjtja priten alternime vranësirash dhe intervaleve të gjata kohore me diell. Vende-vende mund të ketë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë./Meteoballkan