Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot me vranësira, vende-vende me riga sporadike shiu si dhe me erëra po ashtu të fuqishme në disa rajone. Në malet e larta afër Pejës dhe Dragashit mund të ketë reshje sporadike bore.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot i ndryshueshëm, me vranësira dhe vende-vende me reshje shiu.

Të shtunën na pret mot pak më i qetë dhe me intervale kohore me diell. Temperaturat do të ngritën, por do të kemi erëra jugore dhe juglindore herë pas here.

Erërat jugore dhe juglindore do të intensifikohen të dielën dhe kjo do të jetë një shenjë e afrimit edhe më shumë të një vorbulle ciklonike nga Adriatiku. Mbrëmjen e së dielës fillimisht në Shqipëri do të fillojnë reshje të dendura shiu, pastaj gjatë natës reshje të dendura shiu do të fillojnë edhe në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore. Me ardhjen e reshjeve të shiut të hënën erërat pritet që më në fund të pushojnë. Në malet e larta do të ketë reshje bore./Meteoballkan