Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të kemi mot të ndryshueshëm. Priten intervale kohore me diell dhe zhvillime të vranësirave konvektive apo vertikale të cilat do të sjellin rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Rrebeshe të fuqishme të izoluara shiu priten sidomos në rajonin e Dukagjinit dhe vende-vende edhe në Drenicë, kurse në viset tjera priten reshje më të pakta edhe pse mund të ketë rrebeshe të fuqishme afatshkurtra të izoluara. Pra kemi të bëjmë me shira verore ku disa pjesë do të “vuajnë” nga reshjet, kurse vise tjera shumë afër mund të shpëtojnë pa asnjë pikë shiu.

Në Shqipëri sot do të mbajë mot mjaft jo stabil dhe me reshje shiu. Nga mesdita pritet të ketë zhvillime të fuqishme të vranësirave konvektive të cilat do të sjellin rrebeshe të fuqishme të lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Edhe në Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot do të ketë mot të paqëndrueshëm, me intervale kohore me diell dhe zhvillime lokale por të fuqishme të vranësirave konvektive të cilat do të sjellin rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Të dielën dhe të hënën na pret mot i ndryshueshëm, por me më shumë rreze dielli. Në Shqipëri nuk priten më reshje me ndonjë përjashtim të vogël, ndërsa pasdite vetëm në disa rajone (kryesisht në Kosovë) priten rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Rrebeshet intensive dhe më të përhapura mund të rikthehen përsëri nga e marta./Meteoballkan