Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët, pra me vranësira dhe mjegull. Në disa rajone gjatë ditës mund të ketë intervale kohore me diell.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi do të mbajë mot me vranësira dhe intervale kohore me diell dhe rrallëkund mund të ketë ndonjë rigë të dobët shiu.

Mot i ngjashëm do të mbajë edhe të martën, ndërsa nga e mërkura do të fillojnë të fryjnë erëra jugperëndimore të cilat do të ndikojnë në shpërbërjen e mjegullnajës dhe vranësirave të ulëta. Priten ngritje të temperaturave dhe intervale kohore me diell.

Të enjten nxehtë dhe me erëra jugperëndimore, jugore dhe juglindore të cilat vende-vende mund të jenë të fuqishme.

Të premten pritet përkeqësim gradual i motit. Fillimisht do të ketë shtim të madh të vranësirave të cilat do të kushtëzojnë reshje shiu, pastaj (kah mbrëmja) do të fillojnë të fryjnë erëra veriore të cilat do të shkaktojnë ulje rapide të temperaturave dhe reshjet e shiut shumë shpejt do të shndërrohen në reshje bore në viset kodrinore-malore fillimisht dhe pastaj edhe në viset tjera. Vetëm në disa ultësira të Dukagjinit mund të mos ketë fare borë.

Reshje bore priten në Kosovë, veriun e Malit të Zi, perëndim të Maqedonisë si dhe në lindje, verilindje dhe juglindje të Shqipërisë. Në viset kodrinore-malore herë pas here priten reshje intensive bore.

Të shtunën na pret mot i ftohtë dimëror, me erëra të ftohta veriore dhe reshje lokale bore./Meteoballkan