Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Fillimi i javës (e hënë, e martë) që po hymë mbi rajonin tonë do të veprojnë fusha të fuqishme ajrore ciklonike të cilat me qendrën e tyre gjenden afër Moldavisë.

Këto fusha ajrore ciklonike do të sjellin reshje të shpeshta shiu veçanërisht në Kosovë dhe Mal të Zi kurse më pak në viset kontinentale të Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut, megjithatë edhe këtu nuk përjashtohen rrebeshet e fuqishme të izoluara me vetëtima dhe bubullimë.

Në bregdet nuk priten reshje, me disa përjashtime. Gjatë natës së nesërme dhe të martën në Kosovë vende-vende mund të ketë reshje të rrëmbyeshme shiu si dhe rrebeshe të fuqishme lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë të cilat mund të shkaktojnë edhe vërshime lokale.

Nga e mërkura presioni i ajrit do të fillojë të ngritët. Kjo do të jetë një shenjë e largimit ose dobësimit të masës së fuqishme ajrore ciklonike dhe vendin e saj do të zë masa ajrore me presion të lartë atmosferike ose thënë ndryshe masa ajrore anticiklonike e cila në vete përmban ajrin e thatë pa reshje atmosferike. Gjithashtu pritet që të fillojë të depërtojë edhe ajri i nxehtë me origjinë nga Afrika Veriore.

Me këtë nënkuptojmë se nga e mërkura do të kemi shumë më shumë rreze diellore dhe fare pak (ose hiç) reshje atmosferike. Rrebeshet e izoluara të shiut me vetëtima dhe bubullimë mund të rikthehen nga e premta, por sipas parashikimeve të tanishme ato do të jenë të koncentruara kryesisht në viset kodrinore-malore.

Pra, dy ditët e para të javës do të kemi reshje të shumta shiu sidomos në Kosovë, nga e mërkura përmirësim i motit dhe ngritje e ndjeshme e temperaturave. Në fundjavë rikthim i rrebesheve të izoluara, por të cilat pritet të jenë të rralla dhe kryesisht në viset kodrinore-malore.

Ishte ky parashikimi i motit për javën e parë të verës 2020 dhe nëse do të ketë ndonjë ndryshim në parashikim ne do tu njoftojmë në postimet tona të përditshme./Meteoballkan