Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë. Nxehtësia do të jetë përcëlluese për shkak se temperatura maksimale pritet të arrijë deri në 35 gradë Celsius në nivel vendi.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot do të mbajë mot me diell dhe me nxehtësi përcëlluese.

Nesër ( të enjten) në tërë rajonin pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe me nxehtësi përvëluese. Pasdite në disa rajone në Kosovë, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi pritet të ketë zhvillime lokale të vranësirave të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Pra në disa rajone pritet freskim kalimtar i motit, por në rajone tjera i nxehti do të vazhdojë të jetë mjaft i rëndë.

Të premten pritet të kemi mot pak më të freskët, megjithatë do të vazhdojë të jetë nxehtë. Pasdite në Kosovë, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi priten zhvillime të vranësirave të cilat do të kushtëzojnë rrebesh të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë. Në Shqipëri do të vazhdojë të jetë shumë nxehtë dhe kryesisht me diell me përjashtim të verilindjes së vendit kur priten rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Nga e shtuna na pret mot mjaft i paqëndrueshëm. Priten ulje të temperaturave në viset tona kontinentale por do të jetë mjaft zagushi. Gjithashtu priten intervale kohore me diell dhe vranësira të shpeshta të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Rrebeshet lokale afatshkurtra do të fillojnë të zhvendosen edhe në disa rajone në Shqipëri./Meteoballkan