Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe mjaft i nxehtë, megjithatë pasdite vende-vende priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë mund të ketë edhe gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit të së mërkurës.

Në Shqipëri sot pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe mjaft i nxehtë. Pasdite në disa rajone priten rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë. Në orët e vona të mbrëmjes dhe gjatë natës një sistem i fuqishëm frontal me shtrëngata, shi, vetëtima dhe bubullimë do të përfshijë shumicën e bregdetit shqiptar, fillimisht veriun pastaj në orët e mëngjesit pritet të përfshijë edhe bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Në Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë. Pasdite priten rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë. Në orët e vonshme të mbrëmjes dhe gjatë natës bregdeti malazez do të përfshihet nga shtrëngata të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të mërkurën si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore pritet mot mjaft i paqëndrueshëm, me intervale të shkurtra kohore me diell dhe zhvillime të fuqishme vranësirash të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokalisht mjaft të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër. Vende-vende priten shtrëngata të fuqishme me reshje të rrëmbyeshme shiu të cilat mund të shkaktojnë vërshime.

Nga dita e enjte na pret mot i paqëndrueshëm, me intervale kohore me diell dhe rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë./Meteoballkan