MPJD i reagon Moskës që tha se Kosova po dërgon mërcenarë në Ukrainë: E pavërtetë dhe tendencioze

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka mohuar në mënyrë kategorike agjencitë e lajmeve ruse TASS, se Kosova po bëhet pjesë e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në komunikatë bëhet e qartë se MPJD i sheh si tendencioze këto pretendime të bëra nga agjenica e lajmeve ruse dhe ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, përcjell lajmi.net

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës hedh poshtë në mënyrë kategorike si të pavërtetë dhe tendencioz çdo pretendim të agjencisë të lajmeve ruse TASS dhe të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se kinse “Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin….”. Bëjmë me dije ministrit rus Lavrov dhe agjencisë e lajmeve ruse TASS, se Republika e Kosovës e ka të ndaluar me ligj (NR.05/L-002 ) pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla.”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Përveç tjerash këto pretendime shihen si tentim për të tensionuar situaten edhe në Kosovë.

Më poshtë e gjeni komunikatën e plotë të ministrisë:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës hedh poshtë në mënyrë kategorike si të pavërtetë dhe tendencioz çdo pretendim të agjencisë të lajmeve ruse TASS dhe të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se kinse “Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin….”.

Bëjmë me dije ministrit rus Lavrov dhe agjencisë e lajmeve ruse TASS, se Republika e Kosovës e ka të ndaluar me ligj (NR.05/L-002 ) pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla.

MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane.

Kjo fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë.

MPJD shpreh solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës për të drejtën për jetë të lirë e sovrane në shtetin e tyre.

Republika e Kosovës bën thirrje për ulje të tensionit dhe shmangie të konfliktit, i cili mund të marrë përmasa të paparashikueshme.

Republika e Kosovës i bashkohet botës demokratike në dënimin e politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste ruse në dëm të shtetit sovran e të pavarur të Ukrainës.