MPMS-ja, apel pensionistëve: Mos bini pre e lajmeve të rreme

Në rrjetet sociale është duke qarkulluar një njoftim: “Lajmërohen të gjithë pensionistët e Republikës së Kosovës që përfundimisht janë në listat e Qeverisë së Republikës së Kosovës më 31.12. 1998, që sipas vendimit të Strasburgut duhet të paguhen nga ana e Republikës së Serbisë, prej kur ju është ndërprerë pensioni e derisa ti marrin ato në tërësi, qoftë krejt përnjëherë apo me rata. Adresa e paraqitjes është në hotel Grand Prishtinë kati i III, nr. 306”, thuhet në këtë njoftim që mban nënshkrimin: Nga Avokati dhe Koordinatori – Këshillëdhënës, Eksperti Gjyqësor i Gjykatave Vendore dhe Ndërkombëtare.

Në lidhje me këtë ka reaguar Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Mimoza Kqiku, këshilltare për informim e MPMS-së ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Departamenti i Pensioneve nuk korrespondon fare me një veprim të tillë dhe njëkohësisht konstaton se është një informatë e cila nuk përkon me realizimin e pensioneve në këtë formë.

“Ju bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe personave të apostrofuar në këtë e-mail, që të kenë kujdes për veprimet që do t’i bëjnë në bazë të ftesës së atyre personave. Njëkohësisht, MPMS – Departamenti i Pensioneve, është në vazhdimësi i angazhuar që realizimi i të drejtës për pensione për ish pensionistët e viteve të ‘90-‘98, të bëhet përmes bazës ligjore dhe përkrahjes institucionale. Për çdo eventualitet Departamenti i Pensioneve është në nivel të detyrave dhe përgjegjësive”, ka thënë Kqiku.