MSH njofton studentët se mund t’i marrin gjësendet e veta në konvikte

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar studentët banues në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, se duke filluar nga data 18 maj deri me datën 23 maj u lejohet studentëve tërheqja e gjësendeve për banuesit e konvikteve 1, 2, 3, 4, 5 dhe 8, ndërsa konviktet 6 dhe 7 nuk janë të përfshira në këto data për arsye se për momentin janë me persona të karantinuar.

Ministria thotë se sot është mbajtur takim mes përfaqësuesve të Qendrës së Studentëve, MASHT-it, Ministrisë së Shëndetësisë dhe përfaqësuesit të Parlamentit Studentor, ku të gjithë përfaqësuesit institucional janë pajtuar që në ditët në vijim studentëve banues t’u mundësohet tërheqja e gjërave personale të tyre të mbetura në konvikte.

“Duke filluar nga data 18.05.2020 deri me datën 23.05.2020 u lejohet studentëve tërheqja e gjësendeve për banuesit e konvikteve 1, 2, 3, 4, 5 dhe 8, ndërsa konviktet 6 dhe 7 nuk janë të përfshira në këto data për arsye se për momentin janë me persona të karantinuar. Duke u bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së të gjithë studentët obligohen që të jenë të pajisur me masa mbrojtëse (maska dhe doreza). Kurse studentët banues të cilët janë jashtë Kosovës , tërheqjen e gjërave personale mund t’a bëjnë pas hapjes së kufijve”, thuhet në njoftim.