Mungesa e ndryshimeve të rregullores po ua mundëson deputetëve të marrin mëditje vetëm me nënshkrim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, ka kohë që e praktikojnë vetëm dhënien e nënshkrimeve në fillim të seancave dhe më pas mungojnë gjatë votimit të çështjeve të caktuara.

Për shkak të mungesës së deputetëve, shumë çështje dhe ligje apo projektligje kanë bërë që në këtë legjislaturë të mos votohen.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës, për të përfituar nga mëditja e tyre ata janë nënshkruar në çdo fillim të seancës, por nuk qëndrojnë deri në fund apo në momente të caktuara ata edhe janë larguar nga salla e kuvendit.

E gjithë kjo po ndodhë për shkak të mungesës së rregullores.

Nga Kuvendi i Kosovës i kanë thënë lajmi.net, se draftimi i rregullores është në procedurë e sipër për këtë çështje dhe nuk mund të komentojnë asgjë. Sipas Kuvendit të Kosovës, vetëm me nënshkrimin fizik të deputetëve vërtetohet pjesëmarrja e tyre nëpër seanca.

“Draftimi i Rregullores është në procedurë dhe nuk mund të paragjykojmë aspekte përmbajtjesore të saj. Nënshkrimi fizik i deputetit është konfirmim i pjesëmarrjes në seancë dhe për pagesë të mëditjes”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për medie dhe marrëdhënie me publikun dhënë për lajmi.net.

Në anën tjetër, Agnesa Haxhiu, hulumtuese në KDI e cila është edhe monitoruese e Kuvendit, ka thënë për lajmi.net, se për shkak të mungesës së kuorumit në këtë legjislaturë më shumë se 40 pika kanë mbetur pa u përfunduar qysh nga muaji gusht.

Haxhiu ka thënë se mungesa e kuorumit vazhdon të jetë një ndër sfidat kryesore, e që kjo gjë është vërejtur më së shumti në muajt e fundit.

“Kuvendi ka të papërfunduar më shumë se 40 pika nga të gjitha seancat që nuk kanë arritur të përmbyllen që nga muaji gusht për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje. Mungesa e kuorumit në votim vazhdon të mbetet një prej sfidave kryesore të Kuvendit edhe gjatë kësaj legjislature, e këto javët e fundit ka qenë shumë e theksuar. Kjo po ndodhë kryesisht për shkak se deputetët pavarësisht prezencës fizike në sallë nuk marrin pjesë në votim dhe është duke u përdorë si mjet nga të gjitha grupet parlamentare për të bllokuar nismat ose çështjet që iniciohen nga të tjerët por në këtë formë po bëhet Kuvendi tërësisht jofunksional. Në anën tjetër edhe mosprezenca fizike e deputetëve në seanca muajt e fundit ka qenë shumë e shprehur, mandej një pjesë e deputetëve ndonëse marrin pjesë në fillim të seancës nuk qëndrojnë në seancë gjatë gjithë kohës sa zgjatin punimet”, ka thënë Haxhiu për lajmi.net.

Haxhiu ka thënë se e gjithë kjo është mungesë e draftimit të Rregullores dhe se sipas saj, është shumë e rëndësishme që në kuadër të kësaj Rregulloreje është shumë e rëndësishme që të parashihen edhe sanksionet financiare për deputetët.

“Këto problematika do të mund të adresoheshin në Rregulloren e re të punës e cila aktualisht është duke u hartuar nga grupi punues sepse Rregullorja aktuale e punës nuk e rregullon këtë çështje. Prandaj është shumë e rëndësishme që në kuadër të kësaj Rregullore të parashihen sanksione financiare për deputetët që nuk marrin pjesë në votim ndonëse janë në sallë si një prej formave që do të mund të pengonte bllokimin e punës në Kuvend ashtu siç po ndodhë aktualisht, por të atyre që mungojnë në punime pa arsye objektive dhe atyre që përfitojnë mëditjet pa qëndruar prezent gjatë gjithë kohës sa zgjatin punimet”, theksoi Haxhiu.

Tutje, Haxhiu ka bërë të ditur se çështja e sanksionimit ka qenë një përpjekje e kamotshme dhe një tentim i tillë është bërë qysh në legjislaturën e V-të, por që jo të gjithë deputetët janë pajtuar me këtë.

Ajo ka theksuar se, aktualisht është një grup punues që po merret me hartimin e Rregullores, por që për ndryshime të tilla nevojiten 80 vota në Kuvendin e Kosovës.

“Çështja e sanksionimit ka qenë një përpjekje e kamotshme, qysh prej legjislaturës së V-të gjatë kohës sa punohej në hartimin e Rregullores së punës mirëpo deri tash asnjë prej përbërjeve të këtyre legjislaturave nga e V-ta e deri tash nuk ka pasur vullnet politik që kjo të ndodhë. Aktualisht ka një grup punues që është duke punuar në hartimin e Rregullores së re të punës, pjesë e së cilës jemi edhe ne si KDI dhe një mekanizëm të tillë e kemi diskutuar brenda këtij grupi. Në këtë grup ekziston një vullnet nga ana e deputetëve që janë pjesë e tij që të punohet diçka në këtë drejtim, mirëpo meqë për ta miratuar Rregulloren duhet 80 vota, nuk mjafton vullneti i vetëm disa deputetëve duhet konsensus i gjerë politik andaj kjo do të mbetët të shihet se si do të ec si çështje, a do të arrihet një konsensus i tillë apo jo. Por gjithsesi është e rëndësishme që të përmendet një fakt, që kjo praktika e sanksionimit të veprimeve të tilla nuk është praktikë e re ose praktikë që nuk përdoret nga Parlamentet”, ka deklaruar Haxhiu për lajmi.net.

Haxhiu ka thënë se një praktikë të tillë ku deputetët vetëm nënshkruhen sa për të marrë mëditjen që u takon ndodh edhe në vendet e rajoni.

“Në fakt pothuajse të gjitha parlamentet e vendeve të rajonit, si Kuvendi i Shqipërisë, i Maqedonisë së Veriut, ai i Malit të Zi e kanë një mekanizëm të tillë por edhe shumë vende të tjera evropiane dhe ka modalitete të ndryshme se si mund të rregullohet kjo çështje, duke marrë për bazë praktikat e mira të vendeve të tjera”, sqaroi Haxhiu.

Theksojmë, se në bazë të rregullores se Kuvendit të Kosovës, një deputetë brenda muajit mund të marrë vetëm 240 euro për të gjitha seancat që mbahen në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht pagës bazë që e kanë.

Që i bie, se në rast se brenda muajit mbahen vetëm dy seanca atëherë deputetët që me nënshkrim fizik dëshmojnë pjesëmarrjen e tyre në sallën e Kuvendit të Kosovës, ata marrin nga 120 euro për secilën seancë. Pra në asnjë mënyrë ata nuk mund të marrin më shumë se 240 euro për seancat e mbajtura brenda një muaji.

Duke e bërë këtë përllogaritje, i bie që Kuvendi i Kosovës brenda muajit për mëditjet e deputetëve nëpër seanca, harxhon hiq më pak se 28 mijë e 800 euro.