Mike Tyson e këshillon Joshuan para rimeçit me Ruizin

Mike Tyson ka ofruar përvojën e tij për ta paralajmëruar Anthony Joshuan para ripërballjes me Andy Ruizin për titujt e kampionit të botës.

Boksieri legjendar, që po ashtu ka pësuar një humbje befasuese në karrierën e tij për herë të parë, insiston se britaniku duhet të jetë në gjendje të mirë për t’u përballur me meksikano-amerikanin.

Ai ka treguar më tej edhe për pasojat që mund t’i pësojë nëse mendon se e ka të fituar rimeçin, pasi Ruiz nuk është kundërshtar i lehtë siç duket nga të gjithë.

“Ai (Joshua) ka bërë një gabim, u lëndua, gjëra që ndodhin”, ka thënë Tyson. “Mund ta fitojë rimeçin, por mendja e tij duhet të jetë në vendin e duhur. Nëse ai mendon se e ka fituar meçin, atëherë mund ta pësojë edhe më keq se në përballjen e parë”.

“Duhet të qëndrojë vetvetja. Kur ne shkonim në stërvitje, ne gjithmonë kemi shkuar fillimisht në mal, për t’u frymëzuar, që të qëndrojë vetvetja”.

“Ai duhet ta qartësojë mendjen e tij para meçit dhe të mendojë se si mund ta mposht kundërshtarin dhe mos të futet në ring sikur të ishte befasi humbja e parë”, ka shtuar më tej legjenda e boksit.

Përballja e dytë në mes të Joshuas dhe Ruizit pritet të zhvillohet në fund të këtij vitit, e që sërish do të luftohet për titujt e më të mirit në boks.