Mungesa e punëtorëve, Murati: Ka mospërputhje mes aftësive që kërkohen dhe aftësive që i kanë të rinjtë

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se për mungesën e punëtorëve ka “dy probleme”. E para, sipas tij, është mospërputhja mes aftësive që kërkojnë bizneset dhe aftësive që i posedojnë të rinjtë; dhe e dyta, se bizneset s’po krijojnë kushte të mira për punëtorët.

Murati tha se po marrin masa dhe tha “në vazhdimësi kemi shtim të masave” për ta zgjidhur këtë problem.

“Ka një mospërputhje mes të aftësife që kërkohen nga tregu i punës dhe të atyre që shumica e të rinjve tanë i kanë”, tha Murati.

“Pra, ka vende pune për programerë, mirëpo duhet kohë që të trajnohen dhe të shkollohen programerë të rinj me paga të larta”, tha ndër tjerash ministri.

Murati tha se Qeveria ka mbështetur trajnime apo kurse të IT-së dhe “trajnime të tjera për sa i përket fushave të tjera”.
“Kemi edhe problemin e mosofrimit të kushteve nga bizneset”, tha Murati.

Ministri tha se bizneset e kanë rritur profitin së fundmi, andaj tha se “duhet të rriten edhe pagat e punëtorëve”.