Mungesa e sigurisë, për dy muaj mbyllen 40 vendpunishte në ndërtimtari

0
87

Kuvendi i Kosovës po vazhdon me punimet e seancës së rregullt plenare.
Me këtë rast duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së PDK-së, Luljeta Veseli, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka folur për vdekjet në vendin e punës.

Ai ka thënë se kjo është një sfidë për institucionet, teksa ka shtuar se gjatë vitit të kaluar për vetëm dy muaj janë mbyllur 100 vendpunishte.

“Siguria në punë është një sfidë për institucionet tona. Për të pasur një ambient të sigurt në punë vitin e kaluar kemi marrë disa masa legjislative. Kemi realizuar disa fushata vetëdijësuese duke vizituar vendpunishte në ndërtim. Në muajin tetor dhe nëntor kemi marrë disa masa. Mbi 100 vendpunishteve u është ndërprerë puna për shkak të sigurisë në punë. Dhe të njëjtat brenda një afati shumë të shkurtë kohor kanë plotësuar kushtet”, ka thënë ai,

Reçica po ashtu ka thënë se edhe gjatë këtij viti janë mbyllur 40 vendpunishte.

“Edhe këtë vit në këta dy muaj është ndërprerë puna në 40 vendpunishte, dhe të njëjtat kanë vendim për pezullimin e punës deri në plotësimin e kritereve”, tha ai.