Murati: Koordinimi në mes të nivelit qendror me atë lokal jetik në betejën kundër pandemisë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, përmes një postimi në Facebook ka thënë se në këtë situatë pandemie, duhet koordinim në mes të nivelit qendror me atë lokal.

Ai ka thënë se beteja për ndaljen e pandemisë, rezistenca ndaj saj mund të jap suksese nëse të gjithë ne si qytetarë e kryejmë punën tonë.

“Gjithashtu është jetik bashkëpunimi në mes të të gjitha institucioneve e sidomos në mes të atyre qendrore dhe lokale. Ajo që sot u vërejt nga postimet e kryetarit të Prishtinës, Shpend A. Ahmeti, dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal, Agim Kuleta por edhe nga infot që vijnë prej komunave të tjera, duket se koordinimi në mes të nivelit qendror dhe atij lokal nuk është në nivelin e duhur. Kjo është e pa tolerueshme për periudhën nëpër të cilën po futemi. Asnjë mëri e së kaluarës, asnjë inat politik i së sotmes nuk duhet të ndalojë institucionet të kryejnë punën e tyre. Ministri Arben Vitia i cili është në ballë të kësaj beteje dhe i cili ka përkrahjen dhe simpatinë e të gjithë neve, duhet të jetë i pari që do të ndërhynte për ta rregulluar këtë anomali”, shkruan Murati.

Tutje ai thotë se Komuna e Prishtinës, duke qenë edhe kryeqytet, e ka një barrë të madhe në këtë situatë të rëndë.

“Fatmirësisht, është edhe më e angazhuara në këtë drejtim. Madje, ka prirë në mobilizim duke u bërë thirrje shumë herët edhe institucioneve të tjera që situata duhet të merret shumë seriozisht. Tash ky mobilizim nëse nuk përcillet me koordinim mund të bëjë që të dështojmë të gjithë si shoqëri. Të mobilizuar i kam parë edhe shumë kryetarë komunash, të cilët po thërrasin tërë kohën për më shumë koordinim. Si duket të gjithë, përfshirë edhe kryetarin e Prishtinës, thirrjet po i bëjnë me shumë kujdes në mënyrë që të mos keqkuptohen në këtë kohë absurditetesh politike. Në funksion të këtij koordinimi besoj se puna e parë që do të duhej të ndodhte është që kryetari Ahmeti, e ndoshta edhe përfaqësuesi i Asociacionit të Komunave të Kosovës Sazan Ibrahimi të bëhen pjesë e Komisionit të posaçëm për parandalimin e koroanviruist i krijuar prej kryeministrit Kurti”, përfundon Murati.