Murati: Liria e ka emrin UÇK

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka shkruar se vitet do të kalojnë, brezat do të ndërrohen, inatet e sotme politike do të harrohen, por liria do të mbetet. E ajo liri ka emër. Liria e ka emrin UÇK, shkruan Fokusi.info.

Postimi i plotë:

Vitet do të kalojnë, brezat do të ndërrohen, inatet e sotme politike do të harrohen, por liria do të mbetet. E ajo liri ka emër. Përpjekjet për të kanë emër. Ai emër janë dëshmorët e të gjitha periudhave, aktivistët, të burgosurit e luftëtarët lirisë. Nënat, baballarët, vajzat e djemtë, që nuk kursyen asgjë nga vetja për lirinë. Ai emër është populli ynë i pamposhtshëm. Është lufta jonë çlirimtare. Është pavarësia e vendit. E nesër kam besimin e patundur që do të jetë edhe bashkimi kombëtar. Po, liria e ka edhe një emër në kapitullin e fundit të luftës sonë çlirimtare. Një emër që për jetë të jetëve do të jetë krenaria dhe frymëzimi ynë. Liria e ka emrin UÇK. E di që sot të gjithë jemi të mërzitur e të frikësuar që para syve tanë po rishkruhet historia. Kjo frikë vije se edhe vetë me veprimet e mosveprimet tona kemi pjesën tonë të fajit e të përgjegjësisë. Por jo. Nuk mund të gjykohet një popull e lufta e tij. Nuk mund të gjykohet liria. Nuk mund të gjykohet as UÇK-ja se në gjyqin e historisë së popujve të botës do të mbetet lartë si vlerë sublime e një populli të robëruar dhe e përpjekjeve të tij për LIRINË!

#LiriaKaEmër #UÇK